Policia ka vendosur në pranga një 40-vjeçare turke, e cila në bashkëpunim me një shtetase tjetër, rekrutonin vajza nga Turqia e Azerbajxhani dhe i shfrytëzonin për prostitucion.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasja G. Ç., në bashkëpunim me shtetasen A.H. rekrutonin shtetase të huaja dhe më pas i shfrytëzonin për prostitucion, duke përdorur një faqe online.
Nga kontrollet policia ka sekuestruar bizhuteri floriri dhe një shumë parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Escort”, zhvilluar 2 javë më parë, kanë kapur dhe vënë në pranga, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, shtetasen G. Ç., 40 vjeçe, banuese në Turqi.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasja G. Ç., në bashkëpunim me shtetasen A. H. (e arrestuar), rekrutonin shtetase të huaja, nga Turqia dhe nga Azerbajxhani, dhe më pas i shfrytëzonin për prostitucion, duke përdorur një faqe online.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve, janë referuar materialet në Prokurori, për 2 shtetase turke, të dyshuara për ushtrim prostitucioni.
Gjatë kontrollit fizik, shtetases G. Ç. i janë gjetur bizhuteri floriri dhe rreth 3000 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al