Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një nga destinacionet më të kërkuara turistike në Evropë, falë bukurive natyrore, trashëgimisë historike dhe çmimeve konkurruese, shkruan faqja turistike ”Turisti per caso”.
Një udhëtim 7-ditor mjafton për të zbuluar esencën e vendit, duke përfshirë qytete historike, peizazhe malore dhe plazhe që rivalizojnë destinacionet më të famshme të Mesdheut.
Tirana, porta hyrëse e turizmit shqiptar
Udhëtimi nis në Tiranë, kryeqytetin dinamik të Shqipërisë.
Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia Et’hem Bej dhe zonat kulturore si Blloku ofrojnë një panoramë të qartë të transformimit urban dhe historik të vendit.
Për turistët që kërkojnë natyrë, mali i Dajtit ofron pamje panoramike dhe ajër të pastër vetëm pak minuta nga qendra e qytetit.
Kruja dhe Shkodra, histori dhe identitet kombëtar
Vetëm një orë larg Tiranës ndodhet qyteti simbol i rezistencës shqiptare. Kalaja dhe pazari karakteristik osman mbeten ndër atraksionet më të vizituara nga turistët e huaj.
Në veri, Shkodra përfaqëson një tjetër shtyllë të rëndësishme kulturore, me kalanë e Rozafës, liqenin e Shkodrës dhe traditën e pasur artistike që e ka bërë këtë qytet një qendër historike të rëndësishme.
Berati dhe Gjirokastra, pasuri botërore e UNESCO-s
Itinerari vijon drejt jugut me ndalesë në Berat, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”.
Lagjet Mangalem dhe Gorica, si dhe kalaja mbi qytet, përbëjnë një nga komplekset urbane më autentike në Ballkan.
Gjirokastra, po ashtu pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, tërheq vizitorë me arkitekturën e saj unike prej guri, rrugicat karakteristike dhe kalanë madhështore që dominon qytetin.
Riviera Shqiptare, perla e Mesdheut
Pika kulmore e udhëtimit mbetet Riviera Shqiptare. Plazhe si Ksamil, Dhërmi dhe Himara ofrojnë ujëra kristal, natyrë të paprekur dhe një atmosferë gjithnjë e më të zhvilluar turistike.
Kjo zonë po promovohet gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare si një alternativë cilësore ndaj destinacioneve të shtrenjta të Greqisë dhe Italisë.
Durrësi dhe Apollonia, fundi i udhëtimit
Në kthim drejt Tiranës, turistët mund të ndalen në Durrës, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i njohur për amfiteatrin romak dhe bregdetin e gjatë.
Një tjetër ndalesë me vlerë historike është Apollonia, një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të vendit.
Turizmi në rritje dhe potenciali i pashfrytëzuar
Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria ofron një përvojë të plotë brenda një territori të vogël, ku distancat janë të shkurtra dhe larmia e përvojave është e madhe.
Mikpritja tradicionale, kuzhina autentike dhe zhvillimi i infrastrukturës po e bëjnë vendin gjithnjë e më tërheqës për turistët europianë dhe ndërkombëtarë.
Me një itinerar të balancuar mes kulturës, natyrës dhe relaksit, Shqipëria po afirmohet si një destinacion ideal për pushime intensive, duke u renditur gjithnjë e më lart në hartën turistike të Evropës.

















