Evidentimi dhe rregullimi i problemeve të saj më herët se Italia dhe Greqia po jep frytet në të tashmen
Në një rrugë dytësore që të çon në luginën Llobregat në perëndim të Barcelonës, në mes të një fshati të vjetër ku prodhohet verë në disa prej fabrikave më moderne, ndodhet një qendër kërkimore në pronësi të Gestamp, një firmë spanjolle që në vetëm dy dekada është shndërruar në një nga prodhuesit lider në botë të pjesëve të këmbimit të makinave, dyerve dhe kofanove, shkruan The Economist.
Me mbi 100 pika në 21 vende dhe me shitjet e vitit të kaluar mbi 7.5 miliardë euro (8.4 miliardë dollarë), Gestamp është shndërruar në një specialist në procesin e stampimit në të nxehtë.
Ky proces i bën pjesët e makinës, gjashtë herë më rezistente se sa kur ato janë të stampuara me ftohje, duke bërë që automjetet të jenë më të sigurta, më të lehta dhe mbi të gjitha më pak ndotëse për mjedisin.
Ajo që dikur konsiderohej si një copëz e thjeshtë metalike, tashmë është shndërruar në një operacion të teknologjisë së lartë.
Gestamp investon 3.8% të shitjeve të tij në procesin e kërkimit dhe zhvillimit dhe ka arritur të marrë më shumë se 900 patenta.
“Ne jemi duke punuar me makina që do të prodhohen në pesë apo gjashtë vitet e ardhshme”, shprehet Juan José Matarranz, një nga 58 shkencëtarët dhe inxhinierët e qendrës kërkimore.
Krahas kësaj, në një fabrikë të pajisur me robotë, makineri prerëse me lazerë dhe furra të një temperature të lartë për shkrirjen e metalit, Gestamp prodhon pjesë këmbimi edhe për marka të njohura makinash si Ford dhe Audi në Shtetet e Bashkuara, si dhe në fabrikën e madhe të SEAT-it në Martorell.
E globalizuar dhe inovative, Gestamp është kthyer në një simbol të transformimit të ekonomisë së Spanjës. Në vitin 2012, vendi ishte zhytur në një vorbull që kërcënonte largimin e euros.
Krerë nga qeveria konservatore e Mariano Rajoy duhej të shkonin në Bruksel për të kërkuar një hua shpëtimi prej 100 miliardë eurosh për bankat e kursimeve të Spanjës, të cilat ishin në prag falimenti.
Dështimi në reformat e brendshme dhe kriza financiare e zhytën vendin në një rënie pesëvjeçare, nga 2009 në 2013.
Që prej 2013-s, Spanja ka shënuar një rritje prej 3% për të tretin vit radhazi në ekonominë e saj, njëkohësisht edhe rritja më e shpejtë në krahasim me çdo ekonomi të madhe të Eurozonës.
Ajo po hap rreth 500,000 vende pune në vit. Sipas Luis de Guindos, ministrit të Ekonomisë, muajin e kaluar PBB-ja e vendit tejkaloi kulmin e saj para periudhës së krizës. Pjesa më e madhe e meritave për këtë rimëkëmbje shkon për reformat strukturore që qeveria ka ndërmarrë. Edhe ekonomia e Europës po rritet gjithashtu në tërësi.
Por, përveç Spanjës, vendet mesdhetare të Bashkimit Europian vazhdojnë të bëjnë pjesë në listën e vendeve më të dobëta.
Italia dhe Greqia zhgënjyese
Në Itali dhe Greqi, rritja ka qenë zhgënjyese. Reformat e punës në Itali kanë qenë të përkohshme, ndërkohë që tani ajo po merret vetëm me borxhet e këqija të bankave të saj.
Greqia është detyruar të ndërmarrë reforma të ndryshme në vend vetëm si pasojë e kreditorëve të saj, por gjatë gjithë historisë ajo ka çaluar në këtë drejtim.
Në të kundërt, Spanja i ka trajtuar këto çështje shumë më herët dhe më me vendosmëri se sa shtetet e mësipërme dhe pikërisht përpjekjet e saj po japin frytet në të tashmen.
Edhe një herë, por me eksportet
Rritja e ripërtërishme e Spanjës ka themele më të shëndosha sesa çka pasur në të kaluarën. Në vitet e para të këtij shekulli, ekonomia u fuqizua nga ndërtimet, të cilat përbënin një të pestën e PBB-së.
Këtë herë, rritja udhëhiqet nga eksportet, të cilat kanë arritur 33% të PBB-së (nga 23% që ishin në 2009). “Ne kemi rimëkëmbur konkurrencën”, shprehet z. de Guindos.
Spanja tani është prodhuesi dhe eksportuesi i dytë më i madh i makinave në Europë pas Gjermanisë. Edhe turizmi po lulëzon, gjithashtu. Vendi ka larmishmëri eksportesh, ku mund të përmendim, produktet farmaceutike, makinat dhe shërbimet profesionale.
Sipas Jesús Sainz i Círculo de Empresarios, një think-tank, më shumë se 150,000 kompani spanjolle eksportojnë.
Në Madrid dhe në Barcelonë po zhvillohet një ekonomi e startup-eve dixhitale dhe rritja po përhapet nga eksportet në ekonominë vendase. “Ky ishte një vend pa shpresë dhe një gjë e tillë ka ndryshuar shumë”, shprehet Iñigo Méndez de Vigo, ministri i Arsimit.
Ndikim në këtë rritje kanë pasur edhe çmimet e ulëta të naftës dhe normat e ulëta të interesit. Bumi i eksporteve ka ardhur edhe si pasojë e rritjes së kohëve të fundit të tregtisë botërore dhe rënies së euros. Por këta faktorë kanë qenë ndihmues për të gjitha vendet e Eurozonës; Ata nuk e shpjegojnë faktin se përse Spanja po fiton pjesë të konsiderueshme globale të tregut, thekson José Manuel González-Páramo, drejtor i bankës BBVA.
Përkundrazi, shumica e suksesit të Spanjës është meritë e reformave të saj strukturore. Në zgjedhjet e nëntorit të 2011, z. Rajoy fitoi një shumicë absolute, duke mundur qeverinë e pafavorizuar socialiste të José Luis Rodríguez Zapatero.
Ekipi i ri ndërmori tre masa themelore: Reformimin e tregut të punës; Pastrimin e sistemit financiar dhe frenimin e një deficiti fiskal në rritje.
Reforma e punës solli fleksibilitet në një sistem të ngurtë.
Më e rëndësishmja, është se Spanja filloi të zhvillonte negociatat mbi nivelin e pagave, gjë që ndihmoi në rritjen e konkurrencës ndërmjet kompanive. Bankat spanjolle kanë më shumë hua të marra në krahasim me homologet e tyre europiane, por kredia po rrjedh përsëri.
Këtë muaj, mbikëqyrësit e sistemit bankar të Eurozonës detyruan Bankën Popullore Spanjolle, banka e gjashtë më e madhe në vend, që t’i shiste aksionet e saj bankës më të madhe në vend, Santander, gjë që çoi në rritjen e bonove të thesarit për disa huadhënës të vegjël.
“Por, situata e Bankës Popullore nuk duhet ngatërruar aspak me të gjithë situatën në tërësi”, shprehet z. González-Páramo.
Borxhi i ekonomive familjare dhe firmave ka rënë. Ndërkohë, rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve zvogëloi deficitin buxhetor nga 10.6% në vitin 2012 në 4.3% vitin e kaluar.
Për pjesën tjetër të Europës Jugore, kjo situatë duket mjaft e mirë. PBB-ja e Italisë nuk ra me të njëjtat ritme të shpejta aq sa ra edhe PBB-ja e Spanjës gjatë periudhës së krizës, dhe deficiti i saj buxhetor dhe shkalla e papunësisë nuk shkuan kurrë në nivele aq të larta.
Por, nga ana tjetër, as nuk ka përjetuar një rimëkëmbje të fortë, rritja ka mbetur në rreth 1% dhe papunësia është ende mbi 11%.
Ndërsa kostot e punës së Spanjës kanë ranë, Italia vazhdon t’i mbajë të larta, gjë kjo që shpjegon se përse rritja e saj e eksporteve ka qenë shumë më e dobët.
Kostot e punës në Greqi kanë rënë, por ajo nuk ka pothuajse asnjë industri eksportuese për të përfituar prej tyre. Si të mos mjaftonte një gjë e tillë, reformat e ashpra dhe grindjet politike kanë penguar zhvillimin e investimeve aq shumë të nevojshme.
Le ta bëjmë Taleverën të lulëzojë sërish
Spanja mund të jetë një shembull për të tjerët, por rimëkëmbja e saj është shumë larg asaj çka duhet të ishte në të vërtetë.
Borxhi publik është rritur në rreth 100% të PBB-së, dhe qeveria nuk pret asnjë një tepricë primare fiskale (p.sh. para pagesave të interesit) deri në vitin e ardhshëm. “Kemi humbur plot një dekadë dhe PBB-ja jonë sot duhet të kishte qenë së paku 20% më e lartë se sa është”, shprehet z. Guindos.
“Ky është dështimi i trashëgimisë”. Pothuajse 230,000 kompani falimentuan, thotë z. Sainz. Pagat mesatare reale janë pothuajse në të njëjtin nivel me ato të një dekade më parë.
Niveli i papunësisë është ende afër shifrës 3.5 milionë (ose 17%), edhe pse ai është më poshtë se niveli i tij i lartë prej 5 milionë njerëzish të papunë.
Sistemi politik dypartiak i dikurshëm i Spanjës është tronditur, veçanërisht nga rritja e Podemos, një forcë e majtë e cila pretendoi për 21% të votave në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Talavera de la Reina, në luginën e Tagusit, 1 orë e 40 minuta në jugperëndim të Madridit me tren, ka qenë shumë e njohur për punën artizanale në prodhimin e qeramikave të pikturuara në ngjyrë blu dhe të verdhë. Në ditët e sotme, ajo njihet për nivelin e lartë të papunësisë.
Edhe pse popullsia e qytetit është zvogëluar, afërisht në 5.000 banorë (nga 85.000) që nga viti 2012, shkalla e papunësisë është ende shumë e lartë, rreth 35%.
Në murin e një dyqani është pikturuar në anglisht shprehja “Le ta bëjmë Taleverën të lulëzojë sërish”, por shpresat që një gjë e tillë të ndodhë janë shumë të pakta. Sepse qeramika e prodhuar në këtë zonë nuk është më në modë.
Në qendrën ekspozuese të qytetit, që zakonisht përdoret për panaire blegtorale, u zhvillua një panair pune dyditor me emrin “Panairi i Punës dhe Ndërmarrjeve”, por vetëm 100 vende pune u ofruan.
“Talavera ka nevojë të ndryshojë strukturën e saj ekonomike”, thotë Joaquín Echeverría nga Dhoma e Tregtisë në vend.
Dhe kjo gjë nuk vlen vetëm për Talaverën, por për të gjithë vendin. Shumica e kompanive spanjolle janë biznese të vogla familjare, të cilat nuk sjellin asnjë risi dhe mbi të gjitha nuk ndikojnë pothuajse fare në rritjen e eksporteve.
Kjo ndodh pjesërisht sepse ata përballen me barriera të shumta rregullatore.
Nëse një firmë ka 50 punëtorë duhet të krijojë një bashkim sindikal.
Nëse shitjet e saj tejkalojnë vlerën prej 6 milionë eurosh në një prag të pandryshuar për 20 vjet, asaj do t’i duhet të përballet me procedura shumë të vështira tatimore.
Startup-et dixhitale dhe kompanitë e teknologjisë financiare (Fintech) kanë nevojë për një rregullator nëse atyre u duhet të krijojnë besueshmëri te klientët dhe financuesit, thotë Martha Planas, bashkëthemeluese e Digital Origin.
“Nëse qeveria nuk e bën të mundur ekosistemin dixhital, ne do të duhet të largohemi”, thotë ajo.
Nga ana tjetër, qeveritarët përmendin të gjitha reformat e ndërmarra që nga viti 2012. Por një pjesë e madhe e tyre kanë hasur në shumë probleme burokratike.
Kompanive u duhet të përballen me një sërë rregullash të vendosura nga qeveritë rajonale.
Institucionet publike, si zyrat e punësimit apo universitetet, nuk vlerësohen për efikasitet.
“Dallimi kryesor midis Spanjës dhe vendeve të tjera në Europë, vazhdon të mbetet dobësia e tij në zbatimin e politikave publike”, thotë Raymond Torres i Funcas, një think-tank.
Reforma e vitit 2012 nuk u dha punëdhënësve stimuj të mjaftueshëm për të ofruar kontrata të përhershme pune.
“Shumica e vendeve të reja të punës janë shumë të paqëndrueshme, me pagë të ulët dhe të përkohshme”, thekson Marcel Jansen, një ekonomist në Fedea, një think-tank.
Dhe pak reforma po ndërmerren për të ndihmuar të papunët të kthehen sërish në punë.
Gjatë bumit, djemtë e rinj spanjollë i braktisën shkollat për të punuar në ndërtim.
Ata nuk kanë aftësi të tjera. Rreth 57% e të papunëve kanë qenë pa punë për më shumë se një vit, ndërsa një e katërta e popullsisë mbi katër vjet.
“Spanja nuk po zhvillon politikat dhe institucionet e nevojshme për të trajtuar këtë problem”, thotë z. Jansen. Kurset e trajnimeve janë të pakta dhe zyrat e punësimit nuk ofrojnë pothuajse asnjë udhëzim.
Në kulmin e bumit, 32% e spanjollëve të rinj i braktisën shkollat, ende pa përfunduar arsimin e mesëm.
Shifra ra në 19% në 2016, por është ende më e larta e BE-së.
- Méndez de Vigo, ministri i Arsimit, thotë se dëshiron ta përgjysmojë atë deri në vitin 2025. Ndërkohë një komision i ngritur parlamentar po diskuton një pakt për të përmirësuar sistemin arsimor.
Në zgjedhjet e vitit 2015, z. Rajoy humbi shumicën e votave.
Pas gati një viti harrese politike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të dyta, nëntorin e kaluar ai formoi një qeveri të pakicës.
Me ndarjen e Parlamentit, ai nuk mund të shtyjë reformat në mënyrë të njëanshme.
“Ne mund të jetojmë për 10 apo 12 vjet nga ajo që bëjmë në vitin 2012, me kusht që të mos bëjmë gabime të tjera”, – thekson de Guindos. Sigurisht që Spanjës i takojnë shumë merita për të gjitha reformat që ka ndërmarrë dhe perspektiva e saj e ardhshme është shumë e ndritshme.
Por nëse ekonomia globale bëhet më pak favorizuese, spanjollët mund të ankohen se z. Rajoy nuk u mor aq sa duhej me problemet e vendit, atëherë kur ai e kishte mundësinë./monitor