Kryeministri Edi Rama uroi që sot pikërisht në Ditën e Europës, Komisioni i posaçëm
parlamentar për reformën në drejtësi të miratonte në parim draftin dhe nënvizoi se nuk
do të ketë asnjë amnisti për askënd që në të gjithë këto vite i ka shpëtuar drejtësisë.
Deklarata është bërë gjatë fjalës së kryeministrit Rama në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Integrimit Europian, me rastin e ditës së Europës.
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi pritet të mblidhet pa praninë e mediave, për të zyrtarizuar qëndrimin ndaj draftit final të ekspertëve ndërkombëtarë për ndryshimet kushtetuese.
“Dua të uroj që në ditën e Europës, Komisioni i Reformës në Drejësi do të votojë në parim draftin për të çelur rrugën e diskutimit të të gjitha neneve të draftit të një reforme historike e cila na kalon nga ky stacion tranzit në fluturimin e negociatave për tu ulur përfundimisht në aeroportin e BE së. Përfitoj nga rasti tu them të gjithë atyre që janë të shqetësuar lidhur me një nen të drafitit se nuk do të ketë asnjë amnisti për askënd që në të gjithë këto vite i ka shpëtuar drejtësisë”, tha Rama.
“Pika që u bë objekt diskutimi dhe me të drejtë u mor në diskutim tregon se edhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë janë të gabueshëm”, u shpreh kryeministri Rama.