Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas mbledhjes së grupit parlamentar te merkuren, deklaroi se drafti i opozitës për reformën në drejtësi është në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe synon t’i japë shqiptarëve një sistem drejtësie që funksionon.
“Drafti ynë i jep zgjidhjet më të plota dhe racionale të gjitha çështjeve të mbetura peng, si rezultat i mungesës së dialogut mes palëve, dialog qe shpresoj se nuk do të vonojë. PD është shprehur qartë për krijimin e strukturës së posaçme të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe procesit të verifikimit të figurës së gjyqtarëve. Drafti ynë është i konsoliduar dhe do të përbëjë edhe bazën e negociatave tona me PS-në dhe LSI-në”, u shpreh Basha.
I pyetur për arkitekturën e sistemit, kreu i PD-se tha se ekspertet e Komisionit te Venecias janë shprehur se ai (sistemi) është i komplikuar, por me mirekuptimin e palëve ajo duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer qytetarëve, sqaroi kryetari Basha.
Në lidhje me skandalin e përgjimit, kryetari demokrat përsëriti kërkesën e opozitës për të bërë transparencë rreth kësaj çështje dhe se largimi i ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, është parakusht për hetimin e saj.
“Largimi i Tahirit dhe i drejtuesve të ministrisë së Brendshme është parakusht për një hetim të plotë, të paanshëm dhe të pandikuar”, u shpreh Basha.