E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë , Nancy VonHorn ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e certifikimit të punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Në fjalën e saj, diplomatja e ambasadës së SHBA u shpreh se pritshmëritë e shqiptarëve për reformën në drejtësi janë shumë të larta, ndërsa e quajti reformën në drejtësi ‘të pakthyeshme’.
VonHorn dha mesazhe të rëndësishme edhe sa i përket bashkëpunimit të AMP-së me SPAK, apo edhe masakrën e pak ditëve më parë në Shkodër.
“Pritshmëritë që publiku shqiptar ka për reformën në drejtësi dhe për punën tuaj dhe kolegëve tuaj janë shumë të larta. Dhe kjo ndodh për shkak se ju dhe kolegët tuaj tashmë keni prodhuar rezultate për ta. Dhe sot, 29 prej jush që po diplomohen, janë gati për ta rritur këtë ndikim. Sa herë takohem me zyrtarë të qeverisë, një nga gjërat që theksoj vazhdimisht është se reforma në drejtësi është e pakthyeshme. Dhe unë e them këtë sepse Shtetet e Bashkuara e besojnë atë dhe besojnë te ju”, tha ndër të tjera diplomatja e ambasadës së SHBA.