Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të video-skandalit seksual ku u përfshi kreu i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili. Për PD-në, ‘kjo është dëshmi e asaj se ku është zhytur shteti i Edi Ramës’.
“Partia Demokratike shpreh neverinë për abuzimin ordiner të zyrtarëve të pushtetit të Edi Ramës. Pamjet filmike të transmetuara sot ne Ora News, ku Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili kërkon favore seksuale në këmbim të një vendi pune janë një dëshmi më shumë se ku është zhytur shteti i Edi Ramës.
Shtet i trafikantëve të drogës dhe prostitucionit, falsifikatorëve, gjobëvënësve, kriminelëve e tashmë dhe funksionare publikë që shfrytëzojnë mjerimin e grave dhe vajzave ku i ka zhytur kjo qeveri për t’u kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune”, deklaron PD.
Sipas saj, ‘rasti i kryebashkiakut të Peshkopisë nuk është i vetmi por pason atë të Sekretarit të Koço Kokëdhimës, Agron Cane në Sarandë, të shefit të policisë së Velipojës, Ernest Paluku dhe të Luiza Tabakut në Lushnjë, çka tregon se çfarë kriteresh ka kjo mazhorancë për të ofruar vende pune’.