Ekipi mbrojtës i kryetarit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tashmë e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, vendim ky që e shpallë edhe një herë të pafajshëm atë dhe bashkëluftëtarët e tij, në lidhje me rastin “Kleçka”.
Në lidhje me këtë, kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thirrur konferencë urgjente për shtyp.
Koha.net ka raportuar mbrëmë se Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë për kreun e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. E kishte konfirmuar për Kohavisionin avokati i tij Tahir Rrecaj.
Ai ka thënë se mbrojtja ende nuk e ka dokumentin por janë njoftuar se Apeli ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë. Rrecaj ka shtuar se Apeli ka konfirmuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 17 shtator 2013, raporton express.
Pasditen e së enjtes, i pari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Ish-komandant Çeliku ishte marrë në pyetje për më shumë se 3 orë si i dyshuar në lidhje me vrasjen e dy personave gjatë vitit 1998 që për të njëjtin rast kishte dëshmuar edhe në Hagë.