Komiteti i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve ka publikuar raportin në kuadër të procesit të nisur për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Raporti thotë se presidenti vendosi interesat personale politike “mbi interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.
Në raportin prej 300 faqesh, Komiteti i udhëhequr nga demokratët tha se Trump kishte përdorur ndihmën ushtarake amerikane dhe planet e një vizite në Shtëpinë e Bardhë, për të bërë presion ndaj homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenskey, që të zhvillojë hetime, nga të cilat Trump do të kishte përfitime politike.
“Plani i presidentit Trump ka minuar politikën e jashtme të SHBA-së ndaj Ukrainës dhe sigurinë tonë kombëtare në favor të dy hetimeve me motive politike që do të ndihmonin fushatën e tij të rizgjedhjes”, -thuhet në raport.
Para se të publikohej raporti, presidenti republikan kishte sulmuar hetimin e udhëhequr nga demokratët si “shumë jopatriotik”.
Dhoma e Përfaqësuesve vendosi të fillojë procesin e shkarkimit të presidentit të SHBA-së, pasi një informator i paidentifikuar kishte deponuar një ankesë lidhur me një telefonatë të zhvilluar në korrik ndërmjet presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenskyi.
Sipas informatorit, gjatë kësaj bisede, Trump i kishte kërkuar Zelenskyt që të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik Joe Biden dhe djalin e tij. Biden aktualisht po synon që të marrë nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.