“Nuk është merita jote që vijnë më shumë turistë, por është meritë e Zotit që ka falur një vend kaq të bukur e të bekuar”, ka qenë ky komenti të cilit Kryeministri Rama ka zgjedhur t’i kundërpërgjigjet në rrjetet sociale.
Përmes një videoje në “Facebook” për episodin e radhës të rubrikës “Sy m’Sy”, Kryeministri Rama thotë se Shqipërinë turistike e bëri Partia Socialiste nën drejtimin e tij.
“Çudi e madhe. Punët tona të mira janë meritë e Zotit, ndërsa kur ka një përmbytje siç ndodh kudo në Evropë është faji im dhe i qeverisë. Dakord, por lind pyetja: Pse, kur na e fali Zoti ne këtë vend të bukur dhe të bekuar? Kur erdha unë në qeveri, apo kur Zoti bëri botën dhe i vuri shqiptarët? Meqë qenkemi të gjithë njësoj sipas teje, pse nuk vinin turistët edhe përpara se sa të vinte PS-ja bashkë me mua në qeveri. Meqë deti, lumenjtë, malet aty ishin, pse nuk na zinte njeri me gojë deri disa vite më parë për këto bukuri që na ka falur Zoti, por vetëm për plehrat dhe gjithë të zezat?
Kush e përmbysi këtë histori të marrëdhënies të botës me ne dhe kush i bëri gjithë mediat e botës të flasin për Shqipërinë si një destinacion turistik? Zoti? Po pse u kujtua Zoti këto vitet e fundit që jemi ne në qeveri dhe nuk deshi të ja dinte fare përpara kur qeverisnin ata që e bënë këtë vend zhele, katran në sytë e botës dhe që nuk ua hidhte sytë askush fare? Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten dhe Shqipërinë turistike e bëmë ne dhe askush tjetër, në radhë të parë me atë rilindjen urbane dhe pastaj me një politikë të jashtme dinjitoze që e ka bërë Shqipërinë lajm të mirë dhe vend të respektuar dhe me plot punë të tjera në të gjitha drejtimet. Kemi punuar për këtë ditë dhe ditë më të mira do të vijnë. Ne jemi shumë më ndryshe. Ne jemi vetë ndryshimi”, shprehet Kryeministri Rama.