Kryeministri Rama ka vazhduar edhe sot risjelljen e deklaratave të artistëve të njohur në lidhje me Teatrin.
Sot ai ka përdorur fjalët e regjisorit Mihallaq Luarasi. Pasi përshkruan periudhën e vështirë që ka kaluar regjisori në kohën e regjimit Rama citon në Facebook atë që sipas tij është amaneti i Luarasit për Teatrin Kombëtar.
Në deklaratën për Teatrin, regjisori kujton një bisedë me aktorin Naim Frashërin dhe anëtarin e byrosë Manush Myftiun. Ky i fundit pasi u pyet për mundësinë e ndërtimit të një godine të re për Teatrin u përgjigj “nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”.
Kryeministri Rama më parë ka përdorur deklaratat e Raimonda Bulkut, Drita Haxhirajt, Jusuf Vrionit dhe Ndriçim Xhepës për të mbrojtur argumentin për shembjen e Teatrit. Megjithatë aktorja Raimonda Bulku ju përgjigj kryeministrit duke sqaruar pozicionin e saj me artistët kundër shembjes së teatrit, ndërsa Ndricim Xhepa e kishte mohuar deklaratën që i citonte kryeministri rreth një vit më parë. /Opinion.al