Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka prezantuar siç e quan ai një tjetër inovacion të qeverisjes, Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit.
Kreu i qeverisë tregon në postim se videoja e publikuar në Facebook është një fragment i shkurtër i informacionit që ky Kryeinspektoriat po mbledh nëpër Shqipëri, për të filluar punën për zbatimin e masave të reja ligjore të kontrollit të territorit.
“Ky Kryeinspektoriat do të mbulojë hap pas hapi të gjithë gamën e aktiviteteve shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve, duke e bërë punën e strukturave përkatëse më të lehtë, si edhe duke i bërë zullumet e llojllojshme shumë më të vështira”, shkruan Rama.