Kryeministri, Edi Rama, ka bërë me dije se ditën e sotme do të mbajë një fjalim në Asamblenë e Këshillit të Europës në Starsburg të Francës.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, teksa ka publikuar një foto Rama shkruan: “Mirëmëngjes dhe rrugës drejt Strasburgut, për t’iu drejtuar Asamblesë së Këshillit të Europës sot në 15:30, ju uroj një ditë të mbarë”.
Rama pritet që të flasë për qëndrimet e Shqipërisë ndaj raportit të Dick Martyt për trafikun e organeve gjatë luftës në Kosovë.
Kujtojmë se Kryeministri Rama ka deklaruar se do të shkonte edhe vetë personalisht në selinë e Këshillit të Europës në Strasburg më 10 -14 Tetor në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për të kërkuar rrëzimin e rezolutës së miratuar në Janar të vitit 2011 nga Dick Marty, mbi bazën e të cilës janë ngritur dhe akuzat për 4 ish-luftëtarët e UÇK, ish-Presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin./Opinion.al