Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo ka deklaruar se vendi ynë dëshiron që të forcojë marrëdhëniet me Bosnjën.
Rama tha se Shqipëria është duke përgatitur hapjen e ambasadës e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë.
“Dëshirojmë t’i forcojmë marrëveshjet me Bosnje-Hercegovinën dhe jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë. Në Bosnje Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në Kushtetutë në ligjin e minoriteteve të Republikës së Shqipërisë”.
Rama foli edhe për lëvizjen e lirë vetëm me kartë identiteti mes vendeve të Ballkanit, që sipas tij Bosnja duhet ta aplikojë edhe për shqiptarët e Kosovës.
“Nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe vende të tjera dhe unë ja thashë dhe Kryeministrit që jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre, ndërkohë që politika duhet t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje, edhe Bosnje-Hercegovina do ta bëjë këtë gjë”, u shpreh Kryeministri Rama.