Kryeministri, Edi Rama fill pas takimit me kreun e opozitës, Lulzim Basha ishte i ftuar në emisionin “Top Story”, ku foli për negociatat e zhvilluara.
Rama u shpreh se, mazhoranca ka pranuar kërkesën e opozitës për miratimin me shumicë të cilësuar (94 vota) çdo emërim të Parlamentit në sistemin e drejtësisë.
“PD duhet të zgjedhë, ose do t’i bëjë rezistencë kalimit të reformës ose do të bashkohet për të kaluar reformën për të ndërtuar një sistem të gjeneratës tjetër”, u shpreh Rama.
Ai ndër të tjera theksoi se mosdakordësia e palëve për Reformën në Drejtësi, vjen edhe nga ideja se në PD nuk qeveris Basha, por Sali Berisha.
“Dhamë mundësitë për kompromis për 1 vit e gjysmë. Bëmë gjithçka me durimin më të madh. Ne kishim pranuar edhe formulën 2/3. PD nuk e do reformën në drejtësi. Ne nuk do e presim më PD. U them shqiptarëve që bëmë të gjitha përpjekjet. Tashë opozita nuk e justifikon dot mosvotimin. Jemi gati të negociojmë, por pa ndryshime në thelb. Jemi të hapur deri në cepin e fundit”, tha Rama.