Kryeministri Edi Rama mori pjesë të martën në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel. Në fjalën e tij, Rama përsëriti vendosmërinë e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e unionit, qoftë dhe duke hequr dorë nga veto dhe përfaqësimi me komisionerë, të drejta që i gëzojnë sot vendet anëtare.
Ai tha se Europa është në një moment kyç të historisë dhe se duhet të ruajë statusin e saj si një “lojtar i madh” në stuhinë gjeopolitike që ka kapluar kontinentin.
“Shqipëria sjell në tryezë shpirtin e madh të dikurshëm të Europës. Shqipëria është gati, jemi tërësisht të përkushtuar. Nuk do të ndalemi për asnjë çast, po investojmë tek e ardhmja me mendësinë e një vendi që ndihet i përgjegjshëm para Bashkimit Europian”, tha Rama.

















