Duke folur për të nesërmen që vjen pas 30 qershorit, kryeministri Edi Rama u mbulua në djersë në konferencën për shtyp. Ai u shpreh i bindur se bashkitë që ka marrë, PS do ti drejtojë për 4 vitet e ardhshme, ndërsa shtriu dorën për dialog.
“Nëse duan paqe politike, paqe do të kenë. Dhe paqja mund të fillojë vetëm duke u tërhequr nga sulmet kundër Shqipërisë në gjuhë të huaj. Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë. Marrëveshja do të ndërtohet me dialog, pa kushte, të angazhohemi të gjithë bashkërisht për të ndihmuar çeljen e negociatave. Mund të bëjmë më shumë në favor të çeljes në negociatave. Dora ime është e shtrirë. Reforma zgjedhore mbetet një sfidë e përbashkët me opozitën parlamentare dhe atë jo parlamentare. Kjo e fundit ka një karrige bosh dhe mirëpritet. Reforma në drejtësi nuk negociohet, por vetëm mbështetje. Nuk jam për pazar politik, për të penguar drejtësinë për të vazhduar punën majtas apo djathtas”, tha Rama duke paralajmëruar dhe të vetët se askush nuk do të tolerohet, apo do të mbrohet.
Po ashtu Rama ka deklaruar se PS pas këtyre votimeve ka marrë një borxh marramendës, ndërkohë që ka theksuar se do të nis të programojë korrigjimet e nevojshme.
“Kjo meritë është shumë sigurisht, nuk është pak. Nga nesër, 30 qershori është thjesht histori. Ndërsa vitet që do ta pasojnë, nga nesër dhe fundit të mandatit qeverisës dhe katër vitet e mandatit të vendorëve. Është një borxh marramendës, por unë e pranoj, nuk iki, megjithëse sfida nga sot është shumë më e vështirë. Në muajin korrik do të zhvillojmë një debat të brendshëm në funksion të sfidës tashmë tej mase të vështirësuar për të analizuar situatën në familjen tonë politike duke u mbështetur tek shembujt e suksesshëm organizativë që sot nuk munguan. Një debat për të analizuar edhe pozicionin tonë të ri qoftë me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare. Plaga e hapur kërkon kurim dhe ne do të bëjmë çmos. Sot janë aty ku e meritojnë në gropën ku duan të fusin Shqipërinë, drejtësinë dhe qeverinë”./ Opinion.al