Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ka lënë pa folur edhe për kryeministrin Edi Rama, përgjatë një takimi me Prodhuesit e Bimëve Medicinalë.
Sipas Berishës, fermerët edhe pse kanë problematika lidhur me prodhimtarinë e tyre, sërish dëshirojnë të votojnë kreun e qeverisë në zgjedhjet e 11 Majit.
Për këtë arsye, ai thekson se alternativa e vetme e Ramës është shpëlarja e trurit.
“E dëgjuat vetë, alternativën e një fermeri që i thotë se prodhimi m’u kalb, nuk e shita dot, se ferma më falimentoi, por unë do të votoj ty. Jo, kjo është me zë dhe figurë. Pra, Edi Rama ofron alternativë më të keqen që mund të ofrojë një njeri. Ofron shpëlarjen e trurit të njeriut që përbën dhe fatkeqësinë më të madhe njerëzore. Moment që ne që kemi kaluar diktaturën komuniste, e dimë se çfarë do të thotë. Ne e kemi akoma të freskët kur ne rrëzuam shtatoren e Enver Hoxhës, diktatorit më të keq e të gjitha kohërave, por u gjetën qindra mijëra për të vendosur prapë shtatoren. Por ajo ishte shpëlarje truri dhe ajo nuk duhet të ndodhë kurrë.
Alternativa e Edi Ramës për fermerin, për bujqësinë, ishte kjo, më votoni, pavarësisht nga falimentimi, pavarësisht nga injorimi, pavarësisht nga dënimi që u kam bërë.
Myzeqeja kishte 35 mijë lopë race, i ka therur gjysmën sepse dengu i barit u bë shumë më i shtrenjtë se kilja e qumështit dhe ky mori e ua hapi kufirin, vuri ligjin, votoi ligjin për të futur qumështin pluhur pa taksa. A mund të imagjinoni ta bëjë një njeri? A ka akt më shkatërrues për prodhuesit e qumështit në Shqipëri? Tani shqiptarët blejnë djathë të bërë me qumësht pluhur.
Por ai e bazon të gjithë qëndrimin ndaj fermerëve në shpëlarjen e trurit, mu kalb prodhimi, e hodha në kanal, por prapë do të votoj ty. Po mirë ti votoje, por ti ke një përgjegjësi për fëmijët tu, ti ke një përgjegjësi për nipërit e mbesat tua, ke një përgjegjësi për atë komunitet ku jeton. Kur e sheh se njerëzit pikërisht se ti kalb prodhimin, ikin se nuk kanë çfarë të bëjnë, si mundet t’i premtosh votën një njeriu si ai. Edhe njëherë i them atij fermeri të nderuar, fatkeq, e ke dëgjuar ndonjëherë të vetme të thotë patate, mollë apo groshë? Jo vetëm kanabis, kanabis dhe vetëm kanabis. Po çfarë të lidh ty me atë, si mundet? Normalisht njeri që jeton me nder, me punën e tij, siç jetojnë fermerët, nuk mund të kenë armik më egër se këtë njeri.
Unë kam besim të madh se me 11 Maj, fermerët shqiptarë do jenë masivë në votën e tyre për fermën madhështore, për bujqësinë madhështore, për Shqipërinë Madhështore”, tha Berisha.