Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e sotme se janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Monitorimet dhe Trafikut.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama tha se akse kryesore në vendin tonë do të monitorohen 24 orë në shtatë ditë.
Ai tha se si fillim do të nisin me monitorimin e 200 kilometrave të parë, ku përfshihen akset rrugore Tiranë-Elbasan dhe i gjithë aksi nga Tirana në Vlorë.
“Drejt përfundimit punimet për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, përmes së cilës do të monitorohen 24 orë në 7 ditë të javës akset rrugore kryesore të vendit, përmes 150 kamerave që do të instalohen.
Do të nisim fillimisht me monitorimin e 200 kilometrave të parë, ku përfshihen akset rrugore Tiranë-Elbasan dhe i gjithë aksi nga Tirana në Vlorë.
Në këtë Qendër Monitorimi do të operojnë, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, skuadra e Autoritetit Rrugor Shqiptar, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, skuadra e Urgjencës Kombëtare, për Ministrinë e Mbrojtjes, skuadra e Emergjencave Civile dhe për Ministrinë e Brendshme, skuadra e Policisë Rrugore, të cilat në koordinim të plotë do të përpunojnë në kohë reale të dhënat të cilat do të vijnë përmes kamerave”, shkruan Rama.