Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka deklaruar se do të kundërshtojë çdo përpjekje për zhvillimin e bisedimeve Skoci-BE, për ruajtjen e anëtarësimit të saj në Union pas daljes së Britanisë.
Duke folur në një takim në ditën e dytë të samitit të emergjencës në Bruksel, Rajoy ka deklaruar se, “nëse Mbretëria e Bashkuar ikën, ikën edhe Skocia”.
Rajoy, që është kryeministër në detyrë i Spanjës pas zgjedhjeve të fundjavës së kaluar, është shprehur “jashtëzakonisht kundër” idesë për zhvillimin e bisedimeve me Skocinë si një palë e pavarur.
Kjo, pasi Spanja ka problemet e saj me lëvizjet separatiste, sidomos në rajonin Bask dhe atë të Katalonias që prej kohësh kërkojnë të jenë vende të pavarura.
“Dua të jem shumë i qartë, Skocia nuk ka kompetencat për të negociuar me Bashkimin Europian dhe Spanja kundërshton çdo negociatë me atë që nuk është pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë Rajoy.
“Jam jashtëzakonisht kundër, traktatet janë kundër dhe të gjithë janë kundër negociatave. Nëse Mbretëria e Bashkuar është jashtë, edhe Skocia është jashtë”, ka shtuar Rajoy./T.Ch