Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, thotë se ekstradimi për në Kosovë i Milan Radoiçiç është i pamundur. Ai njofton se të gjitha proceset gjyqësore për sulmin në Banjskë do të zhvillohen para gjykatave të Serbisë.
Deklaratën e bëri në një intervistë për agjencinë Beta, duke komentuar urdhër-arrestin e lëshuar nga INTERPOL për kapjen e Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe.
Ministri i jashtëm serb nënvizoi më tej se nuk do të ketë diskutime për zbatimin e planit franko-gjerman, derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Daçiç tha se shpreson që marrëveshja e normalizimit të mos bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35 për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ndër të tjera, pretendoi se numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës ka rënë nga 110 shtete, në 84.