Qeveria ka vendosur në mbledhjen e sotme të dëmshpërblejë në masën 100 për qind banorët e Zharrëz që u janë dëmtuar shtëpitë nga shpërthimet për naftë të Bankers Petrolium. Lajmi i bë i ditur nga zv.Kryeministri Niko Peleshi.
” Në mbledhjen e ditës së sotme të Këshillit të Ministrave, siç ishim angazhuar më herët kemi miratuar vendimin për marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësinë administrative Zharrëz në Roskovec. Ky vendim përcakton afate për vlerësimin në mënyrë të përshpejtuar për banesat e dëmtuara rëndë ose shkatërruar plotësisht dhe dëmshpërblimin e tyre në masën 100% nga buxheti i shtetit dhe Bankers sipas marrëveshjes së hidrokarbureve me ministrinë e linjës, sic është ministria e Energjisë dhe Industrisë. Vendimi përcakton gjithashtu afatin për kategoritë e tjera të dëmtimeve. Ndërkohë ka filluar puna për kontaktimin e ekspertizës së pavarur ndërkombëtare për vlerësimin shkencor të shkaqeve të lëkundjeve”, tha Peleshi.
Banorët e Zharrëz kanë protestuar prej një muaji, pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar rëndë nga shpërthimet që ka bërë Bankers për të nxjerrë naftë. Ata kanë hyrë në grevë urie, kanë bërë mbi 100 km në këmbë nga Zharrëza e Fierit në Tiranë dhe kanë qendruar 5 ditë e netë në qiell të hapur përpara Ministrisë së Energjisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.