Në sallën e Parlamentit, Berisha ka paralajmëruar publikimin e një video-skandali me përmbajtje seksuale. Duke folur për rastin e ish-kryebashkiakut të Peshkopisë, Shukri Xhelili, Berisha tha se një rast edhe më i rëndë është shënuar nga ministrat.
Kjo deklaratë u bë gjatë kohës që Berisha fliste për skandalin e përgjimeve dhe e lidhi këtë me videon ku shfaqej ish-kryebashkiaku në zyrë duke kërkuar marrëdhënie intime me një vajzë 20-vjeçare. Berisha tha se një skandal seksual, shumë herë më i madh, do të bëhet publik shumë shpejtë dhe këtë radhë në zyrat më qendrore të qeverisë në Tiranë.
Nga kërcënimi i ish-kryeministrit Berisha kanë kaluar pothuajse dy javë dhe ende asnjë video nuk po del në pah. Pavarësisht se fjalët u hapën se video-përgjimi do të transmetohej mbrëmjen e sotme në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, me sa duket, ky lançim nuk ishte asgjë tjetër se sa thjesht një truk publiciteti për të rritur termometrin e audiencës.