Policia e Durrësit ka arritur të arrestojë pas disa orësh 57-vjeçarin Mikel Ndoji, i cili paradite plagosi me thikë vajzën e tij Xhesika Ndoji, 24 vjeç, paraditen e të hënës në Durrës. Përveç të bijës ai plagosi edhe dy persona të tjerë që tentuan t’i vijnë në ndihmë vajzës.
Dy të plagosurit e tjerë, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, janë punonjës të një agjensie imobiliare që kanë tentuar të ndërhynë, kur kanë parë që babai po godiste me thikë vajzën.
Sipas policisë, të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën, edhe pse kanë marrë disa goditje me thikë.
Nga të dhënat paraprake të grupit të posaçëm të policisë që u ngrit për këtë ngjarje, dyshohet se shkak i kësaj ngjarje është bërë refuzimi i vajzës për të pranuar në banesën e saj të atin, i cili ka qenë i divorcuar me nënën e vajzës pikërisht për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike që ka ushtruar.
Gjithashtu, persona që e njohin autorin e plagosjes, Mikel Ndojin, shprehen se edhe herë të tjera ai ka ardhur në gjendje të dehur dhe i kërkonte vajzës që ta merrte në banesë, por vajza e kishte refuzuar derisa ndodhi edhe ngjarja e kësaj të hëne.
Edhe për policinë, 57-vjeçari Ndoji është i njohur pikërisht për shkak të denoncimeve të bëra nga ish-bashkëshortja, ndërsa dyshohet se ka qenë i dënuar edhe në Greqi.















