Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi qarkullonte me armë me vete.
Uniformat blu bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi me inicialet E. C., 27 vjeç, banues në Prrenjas, të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, me silenciator.
“Elbasan/Goditet një rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, si rezultat i kontrolleve që vijojnë të kryhen në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”. Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore është finalizuar operacioni policor i koduar “Distanca”.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 27-vjeçar që mbante me vete armë zjarri pistoletë. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe automjeti që drejtonte 27-vjeçari në momentin e kapjes në flagrancë. Gjithashtu, sekuestrohen municion luftarak dhe 1 palë dylbi që u gjetën në banesën e këtij shtetasi. Në vijim të kontrolleve që kryhen në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Distanca””, njofton policia.