Me çeljen e sezonit turistik në “Stop” nuk kanë munguar dhe denoncimet, përsa i përket mungesës së plazheve publike.
Qytetarët tregojnë se nuk gjejnë hapësira publike dhe nëse venë çadrën diku, janë pronarët e bizneseve, që i largojnë. Kjo ka ndodhur në Ksamil, Golem e Velipojë.
Qytetari 1: Përshëndetje! Doja të bëja një denoncim, ose t’u tregoj, ça më ndodhi në bregdetin e jugut. Isha me familjen time dhe tentova të gjeja një plazh publik. Kisha një çadër me vete si të gjithë, që s’duam të harxhojmë lekë. Duke qenë se deti është i të gjithëve, pse jo mos të përdorja plazhin publik. Kam bërë rreth një orë e gjysmë duke lëviz në gjithë zonën e Ksamilit dhe nuk gjeta me asnjë vend, asnjë pëllëmbë bosh.
Qytetari 2: Përshëndetje Stopi! Bëni diçka, se të dielën na hoqën çadrën, që kishim me vete nga plazhi i Golemit!
Qytetari 3: Përshëndetje emisioni “Stop”! Isha në plazhin e Velipojës këtë fundjavë, kisha marrë dhe çadër me vete dhe një çudi shqiptare nuk kisha vend, ku ta vendosja, nuk të linte njeri, të vendosje çadër. Pra isha i detyruar të merrja shezllon, 10-15 mijë lekë një çadër.
Përmes pamjeve satelitore shohim sesi janë organizuar plazhet publike në Kroaci, Mal të Zi , Itali, Greqi, apo Spanjë.
Në të kundërt, në Shqipëri, vija bregdetare rezulton e uzurpuar nga privati.
“Stop” iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për të kuptuar sa plazhe publike ka në të gjithë vendin.
Në përgjigjen zyrtare na thuhet, se ndarja është bërë 70% plazhe private dhe 30% plazhe publike.
Në këtë përgjigje bëhet fjalë për një listë me 489 parcela publike, që nuk mund të identifikohen, se ku e kanë vendndodhjen, pasi vetëm bashkitë e kanë aksesin.