Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Berat, ku gjatë punimeve një masiv gurësh ka zënë poshtë një punëtor, i cili ndërroi jetë në spital.
Si pasojë, këtë të mërkurë, policia ka arrestuar investitoren e objektit dhe ka shpallur në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike të firmës së ndërtimit që kryente rikonstruksionin
Kjo pasi 47-vjeçari e ka humbur jetën si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Gjithashtu, rezulton se këta 3 shtetas kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke fshehur identitetin e personave përgjegjës për punimet.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasin G. S., i cili humbi jetën gjatë punës për rikonstruksionin e një objekti në lagjen “13 Shtatori”, ku e zuri poshtë një masiv guri që u shkëput nga zona e kalasë, informojmë se Komisariati i Policisë Berat kreu të gjitha veprimet procedurale për rastin.
Në përfundim të tyre arrestoi në flagrancë investitoren e objektit, shtetasen V. S., 45 vjeçe, si dhe shpalli në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike të firmës së ndërtimit që kryente rikonstruksionin, përkatësisht shtetasin Ç. H., 53 vjeç dhe shtetasen I. Ç., 41 vjeçe.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi G. S. punonte i paregjistruar në organet tatimore.
Ai e ka humbur jetën si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Gjithashtu, rezulton se këta 3 shtetas kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke fshehur identitetin e shtetasve përgjegjës për punimet.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim”,-njofton policia.