Duket se problemet me drejtësinë për Arkimed Lushaj, të njohur me emrin Stresi, nuk kanë fund.
Këtë herë Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 29 vjeçarin pasi ka filmuar veten duke qëlluar me armë “shotgun”, në një video të publikuar në rrjete sociale.
Në kërkim është shpallur edhe shoku i tij, E.L. 21 vjeç, i cili ishte prezent gjatë kohës që Stresi qëllonte me armë. Masa janë marrë gjithashtu edhe ndaj të atit të reperit, Sali Lushaj, 61 vjeç.
Policia po punon për heqjen e armës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Më datë 05.01.2017, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 4, kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe po punojnë për kapjen e shtetasve:
– A. L., 29 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
– E. L., 21 vjeç, banues në Tiranë
Këta shtetas, më datë 05.01.2017, kanë publikuar në rrjete sociale një video, duke gjuajtur në ajër me armë zjarri gjahu, të tipit “Shotgun”, në një ambient publik.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datë 31.12.2016, si dhe po kryhen veprime administrative për heqjen e lejes për mbajtje arme gjahu ndaj shtetasit S. L., 61 vjeç, banues në Tiranë.
Është bërë skuestrimi në cilësinë e provës materiale të:
• Një armë zjarri gjuetie, tip “Shotgun”
• Një automjeti tip “Audi”
Materialet i’u referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës se Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetise dhe sportive” dhe “Prishje e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 280, 274 e 25 të Kodit Penal.