Këto janë momentet para përplasjes së përgjakshme të ndodhur një natë më parë në Velipojë, ku humbën jetën dy të rinjtë Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha.
Në videon e siguruar nga gazetarja Emi Kalaja, shihet që palët ndodhen brenda ambienteve të lokalit të hotelit në pronësi të dy vëllezërve Frroku.
Debati mes dy personave degjeneron shumë shpejt në përplasje fizike, në të cilën shihet se përfshihen disa persona. Më pas ata dalin jashtë ambientit të lokalit. Pikërisht këtu dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku hapën zjarr duke lënë të plagosur rëndë Ersild Ishmin dhe Arsid Hoxhën.
Si pasojë e plagëve të marra ata ndërruan jetë pak kohë më pas. I plagosur nga kjo ngjarje mbeti edhe kamarieri i hotelit të vëllezërve Frroku, Zyber Zagrad.
Ky i fundit së bashku me punonjësin tjetër të hotelit, Marjo Palin, u arrestuan ditën e sotme nga policia e Shkodrës, nën dyshimet se ndihmuan autorët e dyshuar që të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Kërkimet për ta vijojnë ende.
Ngjarja e rëndë, referuar policisë, e ka zanafillën në datën 28 Qershor të këtij viti, kur njëri prej viktimave, Ersild Ishmi, kishte kanosur me armë zjarri kuzhinierin e hotelit në pronësi të vëllezërve Frroku.
Ishmi u ndalua në Korrik për kanosjen dhe më pas u la në masë sigurie më të butë nga gjykata, teksa konflikti siç duket nuk ishte shuar.