Mineapolis u përfshi nga skena kaotike të dielën në mbrëmje, kur protestues të zemëruar kundër ICE (Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave të SHBA) rrethuan një hotel në qendër të qytetit, duke besuar se aty po qëndronin agjentë federalë. Protesta shpërtheu vetëm një ditë pas vrasjes së Alex Pretti, një infermier 37-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje gjatë një operacioni të zbatimit të ligjit të emigracionit.
Ngjarja ndodhi jashtë hotelit Home Suites by Hilton, pranë Universitetit të Minesotës. Dhjetëra protestues, shumë prej tyre të maskuar, thyen xhama, vandalizuan fasadën e hotelit me grafite si “ICE OUT OF MPLS” dhe tentuan të futeshin me forcë brenda. Pamjet nga vendngjarja treguan njerëz që binin në kazanë plehrash si daulle dhe brohorisnin slogane si “No justice, no peace”.
Sipas mediave amerikane, protesta zgjati mbi një orë pa ndërhyrjen e menjëhershme të policisë. Autoritetet ndërhynë më vonë duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës dhe flakadanë. Të paktën dy persona u shoqëruan nga agjentët federalë, ndërsa raportohet se një agjent u plagos lehtë në fytyrë.
Vrasja e Pretti-t ka shkaktuar reagime të forta politike. Autoritetet federale pretendojnë se ai ishte i armatosur dhe se oficerët vepruan në vetëmbrojtje, por pamjet video dhe deklaratat e ekspertëve hedhin dyshime mbi versionin zyrtar, duke sugjeruar se të shtënat mund të kenë ndodhur pas çarmatosjes së tij.
Presidenti Donald Trump deklaroi se administrata e tij po heton ngjarjen, por njëkohësisht sulmoi politikat e “qyteteve strehë” dhe autoritetet lokale të Minesotës. Ndërkohë, guvernatori Tim Walz e cilësoi vrasjen si një pikë kthese për Amerikën, duke akuzuar qeverinë federale për abuzim me pushtetin dhe për njollosjen e figurës së një qytetari amerikan.

















