Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei thotë se presidenti amerikan, Donald Trump është përgjegjës për viktimat, dëmet dhe shpifjet që ai ka bërë kundër kombit iranian gjatë protestave.
Khamenei më parë i akuzoi protestuesit se po vepronin në emër të Trump dhe terroristëve të tjerë të huaj.
“Ne e shpallim Presidentin e SHBA-së fajtor për viktimat, dëmet dhe shpifjet që ai i shkaktoi kombit iranian.”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Disa protestues kanë djegur imazhe të Khameneit gjatë trazirave. Djegia e fotove të liderit 86-vjeçar duke përdorur cigare, u bë simbol i sfidës kombëtare kundër regjimit të tij.
Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe krizës energjetike. Protestat më masive deri më tani janë regjistruar më 8 janar.
Veprimet kanë përfshirë edhe thirrje në mbështetje të udhëheqësit të Iranit para revolucionit, shahut, djali i të cilit, Reza Pahlavi, ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme.
Demonstratat kanë rindezur gjithashtu përballjen midis Iranit dhe SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, me presidentin amerikan, Donald Trump, që ka paralajmëruar autoritetet në Teheran se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse Irani vret protestues.

















