Depozitimi i Piritit në sheshet e kalatës Lindore të portit të Durrësit, ka sjellë edhe reagimin e qytetarëve dhe të specialistëve të mjedisit në Durrës. Pas hartimit të një peticioni me firma qytetarësh kundër ndotjes së lëndëve djegëse që depozitohen në portin e Durrësit, shoqëria civile dhe specialistë të mjedisit kanë dalë në protestë. Në protestën e zhvilluar para hyrjes së portit, qytetarë, banorë e specialistët e mjedisit dhanë alarmin se lënda djegëse e Piritit, ka ndikim mbi shëndetin e banorëve të qytetit të Durrësit.
Specialisti i mjedisit Sazan Guri, depozitimin në sheshe të hapura të kësaj lënde djegëse, e konsideron vepër penale, që duhet të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë personat përgjegjës. Sipas specialistëve të fushës, ndotja mjedisore ka ardhur nga depozitimi i materialeve rifuxho në terminalin perëndimor.
510 mijë tonë material rifuxho përpunohen nga porti i Durrësit çdo vit. 50% ose 250 mijë tonë janë qymyr që vjen nga importi për llogari të Kurumit dhe për subjektet në Kosovë. Kjo sasi e madhe qymyri përhapet në ajër, dhe është burimi kryesor i ndotjes në disa prej lagjeve në hyrje të Durrësit/ Durreslajm.