Policia e Bjellorusisë e ka arrestuar një grup të liderëve opozitarë dhe së paku tre gazetarë, gjatë protestës së fundit lidhur me taksën qeveritare për të papunët.
Arrestimet janë bërë sot në qytetin lindor, Vorsha, ndërsa në mesin e gazetarëve të arrestuar për një kohët të shkurtër ishte edhe reporteri i Radios Evropa e Lirë, Redaksia për Bjellorusinë, Paval Sevyarynets.
Protestuesit e kanë kundërshtuar një legjislacion për taksë të presidentit autoritar, Alyaksandr Lukashenko, i cili e arsyetoi atë me luftimin kundër asaj që ai e quajti “parazitizëm social”, transmeton Evropa e Lirë.
Personat që punojnë më pak se 6 muaj në vit dhe nuk regjistrohen në zyrat për punësim, duhet të paguajnë një taksë prej afro 200 dollarësh.
Kjo masë ka shkaktuar protesta prej disa javë në gjithë Bjellorusinë dhe ky është njëri prej momenteve më sfiduese për Lukashenkan, në sundimin e tij prej dy dekadash.
I konsideruar nga perëndimi si “diktatori i fundit i Evropës”, Lukashenka është përpjekur për angazhim më të madh me perëndimin, por ka synuar që të mos e shqetësoj aleatin më të afërt të vendit të tij, Rusinë.