Është ende e paqartë se çdo të ndodhë me “Dhjetorin e Dytë”, protestën e studentëve që është pagëzuar me këtë emër pasi i përngjan asaj të 1990 ku “Lëvizja Studentore” rrëzoi komunizmin.
Mijëra studentë që ishin vendosur përpara Ministrisë së Arsimit për pak minuta patën përplasje mes tyre dhe hodhën një sërë idesh.
Disa ishin pro zhvendosjes së protestës përballë Kryeministrisë, por në fund disa kanë vendosur të ecin përpara me idenë për bllokimin e akseve kryesore të Tiranës.
Qindra studentë janë shkëputur nga turma dhe kanë marshuar drejt “Zogut të Zi”, një kryqëzim që lidh disa arterie kryesore rrugore me autostradën Tiranë-Durrës dhe lëvizja e tyre ka paralizuar lëvizjen.
Ndërkohë pjesa më e madhe e studentëve kanë vendosur të vazhdojnë “rezistencën” e tyre para Ministrisë së Arsimit, duke shënuar kështu një pikë kthesë pas 7 ditëve protesta, pasi deri më tani kishin qëndruar të bashkuar.