Ish-kryeministri Sali Berisha, ka mbajtur sërish fjalën mbrëmjen e sotme, nga dritarja e banesës së tij, u ka bërë thirrje socialistëve të bashkohen në protestë, duke u thënë se e kanë për mision të ngrihen kundër kryeministrit Edi Rama.
“Kjo protestë është shpresë për çdo socialist që beson se partia e tij nuk mund të ketë një zë, një votë, një njeri, Edi Ramën.
Kjo protestë është thirrje frymëzim për çdo socialist që dëgjoi nga goja e njeriut të dytë më të fuqishëm të partisë së tyre, zv/kryeministrit, sesi Edi Rama në kryesinë e partisë së tij do t’i përsëriste të njëjtën frazë, të njëjtin kërcënim me kokë dhe jetë, njësoj si Enver Hoxha në byronë politike, armiqve të tij.
Ndaj dhe socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij, se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një padrino i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni çfarë mund të bëjë me ju”, tha Berisha.