Sot në mbrëmje COD (Qendra për Hapje e Dialog në Kryeministri), u promovua libri “Për Ardian Klosin, gjermanin nga Shqipëria”, një botim i shtëpisë botuese “Fjala publishing”, përgatitur nga historiani dhe miku i tij, Oliver Jens Schmitt.
Po ashtu familjes së tij iu dorëzua edhe çmimi “Ardian Klosi”, për librin më të mirë publicistik të vitit 2015, financuar nga fondacioni “S. Fischer”. Një çmim ky, i cili është akorduar për dy vite me radhë gjatë aktivitetit “PaMur”, që nuk pati pritshmërinë e duhur.
Në parathënien e librit, Oliver Jens Schmitt shkruan mes të tjerash se një ditë Klosi do të renditet përkrah mendimtarëve dhe ideologëve më të shquar shqiptarë. “Jam i bindur se në një vështrim retrospektiv pas disa dekadave, Ardian Klosi do të renditet krah emrash, si Frashëri ose Faik Konica, si një prej zërave të paktë autentikë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj në kapërcyell të shekullit. Ardian, miqtë e tu nuk të harrojnë. Dhe le të jetë ky libër një shembull në këtë drejtim”.
Botimi përfshin artikuj e shkrime nga 16 miqtë e tij, njerëz të letrave, gazetarë dhe poetë, albanologë me të cilët ai bashkëpunonte i kanë kushtuar atij. Janë në fakt pjesë studimesh që këta bashkëpunëtorë e bëjnë në kujtim të tij.