Nuredin Suli i shpëtoi një atentati një vit më parë. Ngjarja ndodhi në Patos dhe sipas policisë, motiv ishte hasmëria. Ai ishte akuzuar në vitin 2011 për një vrasje, por kjo nuk u provua. Ai i Patosit ishte atentati i katërt ndaj kësaj familje, që numëron 1 viktimë dhe 1 të plagosur.
Më 10 Nëntor të vitit 2012 në Fier u vra vëllai i Nuredin Sulit, Naimi. Policia arrestoi shtetasit Gëzim Sulo, 49 – vjeç, si dhe dy djemtë e tij, Ervis dhe Endri Sulo, 22 dhe 20 – vjeç. Vrasja u mor përsipër nga 49 – vjeçari.
Ai u tha hetuesve se kishte qenë në konflikt për shkak të një servisi, që ai e kishte ngritur 5 metra larg shtëpisë së viktimës. Familja Suli kishte kërkuar që servisi të zhvendosej, për shkak të zhurmave dhe kjo kërkesë është bërë shkak për konfliktin që i mori jetën 50 – vjeçarit.
Në Maj të 2013 -ës, djalit tjetër të familjes, Sulejman Suli, iu vendos tritol në makinë teksa ishte duke udhëtuar me bashkëshorten.
5 muaj më vonë, më 25 Tetor 2013 mbeti i plagosur me armë zjarri Namik Suli, vëllai tjetër i Nuredinit.
Biznesmeni Nuredin Suli ishte bashkëpronar me tre vëllezërit e tij në një pikë karburati në rrugën Fier – Patos, pranë zyrave qendrore të kompanisë shtetërore naftënxjerrëse “Albpetrol”. /Tv Klan/