Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, mori pjesë në analizën vjetore të punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Gjatë analizës, Proda ka vlerësuar punën e bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ku gjatë vitit 2024 nuk është regjistruar asnjë vrasje në qarkun e Beratit dhe asnjë incident në shkolla apo me turistët.
Drejtori i Përgjithshëm është ndalur te puna e bërë nga strukturat e Policisë Rrugore, ku tërhoqi vëmendjen për parametrat e sigurisë rrugore. Ai kërkoi nga këto struktura më shumë angazhim dhe jo masa administrative si qëllim në vetvete, por fokusim të punës për të evidentuar dhe ndëshkuar shkeljet që cenojnë jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar që përgjatë vitit 2025, të ketë rritje të forcës zbuluese me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të vjetra, si dhe më shumë angazhim për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Roli i policisë në procesin zgjedhor ishte një tjetër porosi e dhënë nga Drejtori i Përgjithshëm. Ai ka kërkuar që përgjatë procesit zgjedhor, punonjësit e policisë të zbatojnë ligjin, të mos qëndrojnë në ambiente ku mund të ketë grumbullime politike dhe të mos shoqërohen me persona që janë të përfaqësuar në politikë.