Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) iu bën thirrje bashkive që të marrin masa të menjëhershme dhe të respektojnë afatet dhe kërkesat ligjore pasi janë konstatuar problematika me listat e zgjedhësve.
Nga monitorimi i KQZ, janë konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki, ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara si dhe informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.
Gjithashtu KQZ i kërkon ministrisë së Brendshme që të lehtësojë procesin e njoftimit të zgjedhësve.
“Procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025. Për të adresuar problematikat e sipërcituara, KQZ i kërkon bashkive: Të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Gjithashtu, i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesi të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore”,-thuhet mes të tjerash në njoftim.