Prokuroria për Krimet e Rënda paraqiti dje konkluzionet përfundimtare në gjyqin ndaj një 41 vjeçari, të akuzuar për “gjobëvënie” ndaj një mjeku të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas akuzës, i pandehuri, Jani Balla dyshohet se i ka kërkuar 480 mijë lekë të rinj mjekut, me pretendimin se i kishte ngacmuar kunatën, dhe se në të kundërt do t’i tregonte bashkëshortes së mjekut pediatër.
Në lidhje me këtë histori, të pretenduar prej tij, që sipas Prokurorisë është e paprovuar, i pandehuri Balla i ka bërë presion edhe kunatës së tij, duke i shkaktuar frikë dhe stres. Prokurori i çështjes, Blerim Tominaj, kërkoi dje deklarimin fajtor të të pandehurit për dy vepra penale, “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “përndjekjes” e dënimin e tij me 3 vjet heqje lirie.
Prokurori i kërkoi Gjykatës të mbajë parasysh faktin se çështja në ngarkim të të pandehurit u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, prej të cilës ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, nëse deklarohet fajtor nga Gjykata.
Burimi: Panorama