Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Presidenti Duka intervistë për UEFA-n: Futbolli nuk është vetëm profesion, është një mënyrë jetese

2025/03/20 at 1:48 PM
në Kryesore, Sport, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Presidenti Duka intervistë për UEFA-n: Futbolli nuk është vetëm profesion, është një mënyrë jetese

DUSSELDORF, GERMANY - JUNE 17: Armand Duka, UEFA Vice-President, attends the UEFA EURO 2024 group stage match between Austria and France at Düsseldorf Arena on June 17, 2024 in Dusseldorf, Germany. (Photo by Andreas Rentz - UEFA/UEFA via Getty Images)

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për UEFA-n, duke folur mbi rritjen e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar nën udhëheqjen e tij, nga rindërtimi i infrastrukturës sportive të vendit deri te “utopia” e kualifikimit për dy faza finale të EURO-së.


Ai thotë se është krenar për transformimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin tonë, për arritjet e Kombëtares Shqiptare si dhe për zhvillimin e futbollit të vajzave, që dikur ka qenë tabu.

Po ashtu ka folur për Kampionatin Europian U-21 2027 me Serbinë, për të cilin thotë se do të shërbejë si nxitje për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Ballkanit.

Çfarë ju shtyu të kandidonit për President të Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 2002?

Unë vij nga një familje që e ka në ADN-në e saj sportin. Babai im ka qenë futbollist dhe trajner në qytetin tim, Shijak, një vend i vogël por shumë i apasionuar pas futbollit. Vëllai im gjithashtu ka qenë atlet. Si biznesmen privat, kam mbështetur financiarisht disa skuadra sportive, duke nisur nga skuadra ime e qytetit dhe më pas duke u angazhuar te KF Teuta, një klub profesionist në Durrës.

Federata e Futbollit në atë kohe ishte shumë e paorganizuar për shkak të tranzicionit. Për këtë arsye disa drejtues, miq të njohur më propozuan që të kandidoj për postin e Presidentit te FSHF. Në 2 mars të vitit 2002, Asambleja e FSHF më zgjodhi President.

Çfarë këshille do të jepni për dikë që po mendon të nisë një karrierë në administrimin e futbollit sot?

Këshilla ime është ta bëjë këtë zgjedhje me pasion dhe përkushtim të plotë. Futbolli nuk është thjesht një profesion, është një mënyrë jetese që të përfshin plotësisht. Kur bëhesh pjesë e kësaj bote, emocionet që përjeton janë kaq të forta sa nuk dëshiron më të largohesh kurrë prej saj.

Futbolli të jep sfida të përditshme, por edhe kënaqësi të jashtëzakonshme. Ai krijon lidhje të forta me njerëzit dhe të ofron mundësinë për të ndikuar pozitivisht në komunitete të tëra.

Ndaj, për këdo që dëshiron të ndjekë këtë rrugë, mesazhi im është i thjeshtë: bëje me pasion, sepse vetëm ata që e dashurojnë vërtet futbollin mund të japin më të mirën e tyre dhe të bëjnë ndryshimin.

Si ka ndikuar eksperienca juaj në sektorin privat në transformimin e futbollit shqiptar?

Pasi kam mbaruar Universitetin e Tiranës, kam punuar për një periudhë të shkurtër si ekonomist. Kur ra sistemi diktatorial në Shqipëri, isha ndër të parët që u angazhova në sektorin privat. Besoj se përvoja ime akademike dhe e gjerë në biznes ka qenë kyçe në transformimin e futbollit shqiptar.

Duke u kthyer pas në kohën kur u zgjodha president, Federata ka pasur shumë nevojë për një organizim të mirë dhe ristrukturim të vazhdueshëm. FSHF është një institucion që kërkon strategji të qarta, menaxhim të mirë dhe politika solide. Përvoja ime në fushën e biznesit ka luajtur një rol thelbësor në ndërtimin e themeleve për sukseset tona të mëvonshme.

Cilat arritje ju bëjnë më shumë krenar në krye të FSHF-së?

Jam krenar për riorganizimin institucional dhe përmirësimin e funksionimit të FSHF-së, si dhe për transformimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin tonë. Nuk do të ekzagjeroja nëse do të thosha se Shqipëria tani është një nga vendet me infrastrukturën më të zhvilluar sportive në rajon.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, janë ndërtuar katër stadiume të bukura me licencë UEFA që mund të presin ndeshje të nivelit europian. Secili stadium ka historinë e vet, ne krenohemi më shumë me stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, që është pagëzuar nga mediat si “Wembley i Ballkanit”. Megjithatë, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Kukës Arena” janë gjithashtu stadiume të mrekullueshme. Tani kemi në plan të ndërtojmë katër stadiume të reja, duke përdorur fondet e programit Hat Trick të UEFA-s, që do të zhvillojë më tej futbollin Kombëtar.

Sigurisht, duhet të flas edhe për sukseset e ekipit tonë kombëtar – një burim i madh krenarie. Dikur ishte utopike të mendoje që Shqipëria mund të kualifikohej në finalet e një Kampionatit Europian, por ne e arritëm këtë objektiv jo një herë, por dy herë duke marrë pjesë në finalet e Euro “Francë 2016” dhe Gjermani 2024 verën e kaluar.

Futbolli i vajzave, i konsideruar dikur tabu në Shqipëri, ka arritur një nivel të kënaqshëm falë punës së palodhur, investimeve dhe kontributit të rëndësishëm të FSHF-së. Numri në rritje i fëmijëve që po angazhohen në futboll vit pas viti është një tjetër arritje që meriton të theksohet.

Cilin prej projekteve të zhvillimit të FSHF-së do të zgjidhnit si rasti më i mirë i studimit praktik për t’u ndjekur nga federata të tjera?

Kemi implementuar shumë projekte për edukim, përmirësim të terreneve sportive, por ai më i veçanti është projekti “Uniforma Ime” nëpërmjet të cilit Federata i jep falas uniforma sportive për stërvitje dhe për lojë çdokujt që luan futboll në vend. Ky projekt ka rritur ndjeshëm numrin e të regjistruarve në futboll.

A ka projekte të caktuara të realizuara nga federata të tjera dhe të financuara nga HatTrick që kanë frymëzuar FSHF-në?

Në Federatën Shqiptare të Futbollit kemi bërë çdo projekt të mundshëm në bashkëpunim me UEFA-n, por edhe më shumë madje në të gjitha drejtimet. Do të doja të veçoja projektin e Akademisë së FSHF, “Elite Youth”, që ka nisur në shtator të vitit 2024. Çdo ditë, 37 fëmijë të talentuar të datëlindjeve 2010 dhe 2011 stërviten dhe përgatiten në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerëve të moshave të ekipeve tona kombëtare. Një projekt që besoj se do të japë frytet e saj në vitet e ardhshme dhe këta fëmijë do t’i shohim edhe pjesë të ekipeve tona të moshave dhe pse jo, ekipit kombëtar A. Projekti i Akademisë është aplikuar më parë nga Federata e Futbollit të Gjeorgjisë dhe disa prej atyre fëmijëve të vegjël sot janë pjesë e ekipit kombëtar të Gjeorgjisë. Kështu që, duke parë punën e palodhur të fëmijëve tanë dhe stafit të akademisë, jam i sigurt që ky projekt do të jetë i suksesshëm edhe në Shqipëri.

Në vitin 2022, FSHF mikpriti finalen e parë të UEFA Conference League në stadiumin Kombëtar të Tiranës. Si ka kontribuar ky stadium në rinovimin e qendrës së Tiranës?

Finalja e UEFA Conference League ishte në fakt ngjarja më e rëndësishme sportive që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Ajo që na kënaqi më shumë ishte ngrohtësia dhe mikpritja që iu ofruam mysafirëve tanë – një pjesë e rëndësishme e traditës sonë. Ky event ka kontribuar shumë në promovimin e Tiranës dhe Shqipërisë, duke e vendosur vendin tonë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për disa ditë me një numër të madh mediash prestigjioze që kanë qenë të pranishme këtu dhe kanë raportuar për gjithçka në kohë reale. Sakaq edhe vetë stadiumi i ri ka kontribuar shumë në zhvillimin e Tiranës, duke rigjallëruar zonën përreth.

Shqipëria dhe Serbia do të bashkorganizojnë turneun final të Europianit Under-21 në vitin 2027. Si i keni hedhur themelet për aplikimin si vendorganizues? Çfarë ndikimi do të ketë ky turne në sport dhe shoqëri?

Fillimi i aplikimit ka qenë individual, por me një lloj pragmatizmi rrugës vendosëm të bashkonim kandidaturat me Federatën e Serbisë për të pasur më shumë shanse që ta fitonim organizimin e këtij turneu. Shqipëria nuk ka organizuar kurrë më parë një turne sporti të një niveli kaq të lartë. Ne do të presim finalet e Kampionatit Europian U-17 në maj këtë vit, që gjithashtu është një kompeticion i rëndësishëm, por pritja e finaleve të Kampionatit Europian U-21 është një nivel shumë më i lartë. Benefitet e Shqipërisë janë të shumta, që nga pjesëmarrja e Kombëtares tonë U-21 për herë të parë në finalet e një Europiani e për të vijuar me përmirësimet në infrastrukturë që do të sjellë ky turne. Do të ketë përfitime ekonomike veçanërisht në drejtim të turizmit.

Në fund, por jo për nga rëndësia, mendoj se mesazhet që ne i japim botës me këtë organizim janë shumë të mëdha. Kampionati Europian U-21 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Do të shërbejë si nxitje për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Ballkanit dhe do të tregojë se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit.

Në kohë të vështira për Europën dhe botën, cili është mesazhi më i rëndësishëm që UEFA dhe futbolli duhet të përcjellin?

Është privilegj për mua të jap kontributin tim në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe më pas si Kryetar i Komitetit të Medias të UEFA-s.

Pikërisht në këto momente sfiduese, UEFA dhe futbolli europian kanë treguar se sporti ka një fuqi të jashtëzakonshme bashkuese. Futbolli nuk është thjesht një lojë; është një gjuhë universale që frymëzon, bashkon komunitete dhe tejkalon ndasitë.

Mesazhi më i rëndësishëm që UEFA dhe futbolli duhet të përcjellin në këto kohë është ai i unitetit, solidaritetit dhe shpresës. Futbolli ka një rol të rëndësishëm në nxitjen e vlerave pozitive, të tilla si fair-play, respekti dhe barazia. Këto vlera janë të domosdoshme jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në jetën e përditshme.

Si institucion, UEFA vazhdon të promovojë një futboll të hapur, të barabartë dhe të drejtë, ku çdo vend, pavarësisht madhësisë apo potencialit ekonomik, ka mundësinë të zhvillohet dhe të ëndërrojë. Ky parim është në thelb të modelit europian të sportit, i cili mbështetet në meritokraci, garë të drejtë dhe solidaritet mes federatave dhe klubeve. Kjo frymë solidariteti dhe bashkëpunimi është forca që e bën futbollin sportin më të dashur në botë.

Gjithashtu vlerësoj edhe transparencën që UEFA ka në raport me median dhe marrëdhënien korrekte që ka kultivuar në kohë, duke nënvizuar këtu edhe punën e mirë të bërë nga Komiteti i Medias në UEFA që unë drejtoj prej dy vitesh.

Për të arritur në stadiumin e ri kombëtar, tifozët ende kalojnë përmes hyrjes qendrore origjinale të ndërtuar në vitin 1930. Çfarë nuk duhet të harrojë futbolli shqiptar për të kaluarën e tij dhe cili është sfida më e madhe për të ardhmen?

Ne jemi krenarë që kemi ruajtur një pjesë të historisë sonë përmes hyrjes monumentale të stadiumit kombëtar, e cila qëndron si një simbol i trashëgimisë sonë futbollistike. Por historia jonë nuk ndalet aty. Brenda stadiumit, çdo vizitor mund të gjejë të gdhendur emrat e të gjithë futbollistëve që kanë veshur fanellën e Kombëtares ndër vite. Ky është një homazh për ata që kanë dhënë kontributin e tyre dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Sa i përket sfidës më të madhe për të ardhmen, për ne si Federatë është e qartë: synimi ynë është të dyfishojmë numrin e fëmijëve dhe të rinjve që luajnë futboll në Shqipëri, sepse e ardhmja e futbollit ndërtohet nga baza.

Ndërkohë, për tifozët tanë, ëndrra më e madhe mbetet pjesëmarrja e Shqipërisë në finalet e një Kampionati Botëror – një objektiv që na motivon çdo ditë për të punuar më fort dhe për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur për futbollin shqiptar.



Ju sugjerojmë

Mungesa e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, Rama: Nëse nuk ka dyshe për tango, do luhet muzika e BE-së!
Politikë

Zgjedhjet në Shqipëri, liderët e Spanjës dhe Kroacisë urojnë kryeministrin Rama

13 Maj, 2025 9:59 pm
Presidenti i Ukrainës, Zelensky uron kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje
Kryesore

Presidenti i Ukrainës, Zelensky uron kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje

13 Maj, 2025 9:40 pm
Zgjedhjet, Celibashi nxjerr shifrat: Kemi numëruar 35% të votave të diasporës!
Kryesore

Zgjedhjet, Celibashi nxjerr shifrat: Kemi numëruar 35% të votave të diasporës!

13 Maj, 2025 9:35 pm
VIDEO/ Shpërthejnë të qeshurat në KZAZ-në në Tiranë, numëruesi bërtet emrin e Braçes
Politikë

VIDEO/ Shpërthejnë të qeshurat në KZAZ-në në Tiranë, numëruesi bërtet emrin e Braçes

13 Maj, 2025 9:27 pm
PS fitoi 19 mandate në Tiranë,Manastirliu:Besimin e qytetarëve do ta kthejmë në punë
Kryesore

PS fitoi 19 mandate në Tiranë,Manastirliu:Besimin e qytetarëve do ta kthejmë në punë

13 Maj, 2025 9:13 pm
A ka një mesazh për Bardhin? Balluku: Ia kam lënë Zegjinesë, e meriton
Kryesore

A ka një mesazh për Bardhin? Balluku: Ia kam lënë Zegjinesë, e meriton

13 Maj, 2025 9:00 pm
Costa: Shqetësuese veprimet ndarëse të Republikës Sërpska
Rajoni

Costa: Shqetësuese veprimet ndarëse të Republikës Sërpska

13 Maj, 2025 8:35 pm
PS merr Kombinatin, Blendi Gonxhe: Jemi rritur, morëm 54.5% të votave!
Politikë

PS merr Kombinatin, Blendi Gonxhe: Jemi rritur, morëm 54.5% të votave!

13 Maj, 2025 8:19 pm
Bie me dy mandate PD-ja, shtohen PS-ja dhe Mundësia
Politikë

Bie me dy mandate PD-ja, shtohen PS-ja dhe Mundësia

13 Maj, 2025 8:07 pm
Janë në listat e mbyllura, ja emrat e kandidatëve që fituan karrigen në Kuvend
Kryesore

Janë në listat e mbyllura, ja emrat e kandidatëve që fituan karrigen në Kuvend

13 Maj, 2025 7:43 pm
Para
Opinion – Çfarë synon Adriatik Lapaj? (19 Mars 2025) 

Opinion – Çfarë synon Adriatik Lapaj? (19 Mars 2025) 

Të akuzuar për vrasje dhe për skemë mashtrimi, ekstradohen nga Italia dhe Greqia dy shqiptarë

Të akuzuar për vrasje dhe për skemë mashtrimi, ekstradohen nga Italia dhe Greqia dy shqiptarë

Drejtoi automjetin në gjendje të dehur, SPAK dërgon për gjykim deputetin Qani Xhafa

Drejtoi automjetin në gjendje të dehur, SPAK dërgon për gjykim deputetin Qani Xhafa
















TE FUNDIT

Zgjedhjet në Shqipëri, liderët e Spanjës dhe Kroacisë urojnë kryeministrin Rama

Mungesa e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, Rama: Nëse nuk ka dyshe për tango, do luhet muzika e BE-së!
13 Maj, 2025

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kanë uruar kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama për...

Lexo më shumë

Presidenti i Ukrainës, Zelensky uron kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje

Presidenti i Ukrainës, Zelensky uron kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje
13 Maj, 2025

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka uruar Kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Përmes një...

Lexo më shumë

Zgjedhjet, Celibashi nxjerr shifrat: Kemi numëruar 35% të votave të diasporës!

Zgjedhjet, Celibashi nxjerr shifrat: Kemi numëruar 35% të votave të diasporës!
13 Maj, 2025

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dhënë mbrëmjen e sotme një prononcim për mediat, lidhur me procesin...

Lexo më shumë

VIDEO/ Shpërthejnë të qeshurat në KZAZ-në në Tiranë, numëruesi bërtet emrin e Braçes

VIDEO/ Shpërthejnë të qeshurat në KZAZ-në në Tiranë, numëruesi bërtet emrin e Braçes
13 Maj, 2025

Sot shënohet dita e tretë e procesit të numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Teksa prej mbrëmjes...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com