Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri lëvizjen e parë të shahut në Kampionatin Ndërkombëtar të këtij sporti që mblodhi në Durrës qindra talente nga e gjithë bota në moshat 8-12 vjeç.
Begaj, i pranishëm në ceremoninë hapëse të këtij kampionati, vlerësoi se organizimi i eventeve të tilla është një përpjekje për të sjellë më shumë kulturë dhe më shumë përkushtim ndaj një sporti të veçantë për gjeneratën e re.
Në këtë mënyrë, deklaroi Presidenti Begaj, vendi ynë ka mundësi të tregohet si organizator mbarëkombëtar e si mikëpritës jo vetëm i Samiteve dhe Ministerialeve, por edhe i aktivitete promovuese të talenteve ndërkombëtarë të sporteve.
“Fëmijët janë e ardhmja dhe është shumë e rëndësishme promovimi dhe vlerësimi i tyre”, theksoi Presidenti i Republikës, i cili konfirmoi përkushtimin për afrimin e fëmijëve dhe të rinjve me sportin.
Në Kampionatin Ndërkombëtar të Shahut morën pjesë 350 fëmijë nga gjithë bota nga të cilët 60 janë nga Shqipëria.