Senatorja Elizabeth Warren, u tërhoq nga gara presidenciale pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet paraprake të Super së Martës. Warren pësoi disfatën më të rëndë, pasi humbi edhe në shtetin e saj, Massachusetts.
Ish profesoreshë e së drejtës në Universitetin Harvard, bëri fushatë me moton e “ndryshimit të madh strukturor” për të luftuar korrupsionin dhe rolin e parasë në politikë.
Gjatë fushatës, senatorja mbrojti një sërë kauzash liberale si kujdesi shëndetësor për të gjithë, anulimi i borxheve studentore dhe copëzimi i kompanive gjigande teknologjike si Facebook.
Por 70-vjeçarja, e cila në nëntor kryesonte në sondazhet kombëtare, u përball me pikëpyetje serioze për planin e saj të reformës shëndetësore, realizimi i të cilit do të kushtonte 20.5 trilion dollarë.
Para Warren, u tërhoq dhe ish-kryebashkiaku i New Yorkut, miliarderi Michael Bloomberg. Ish qytetari i parë i New Yorkut nuk fitoi asnjë shtet të vetëm në zgjedhjet e “Super të Martës”, edhe pse shpenzoi më shumë se gjysmë miliardë dollarë në fushatën e tij./Opinion.al