Këtë të Enjte në “Opinion” u diskutua lidhur me administratën e re amerikane dhe qasjen ndaj vendit tonë, që akoma nuk është shumë e qartë. Po a hyn George Soros në mes? Është kjo pyetja që shtrohet duke marrë parasysh se është njeriu të cilin Donald Trump e ka kundërshtuar në mënyrë absolute.
Soros njihet për lidhjet e tij me liderët në Ballkan, por edhe me kryeministrin Edi Rama. A mund të jetë ky një faktor që mund të ndikojë në raportet Rama-SHBA? Analisti Preç Zogaj shpjegoi se pse mori aq shumë “peshë” në vendin tonë, figura e Soros.
Preç Zogaj: Është gabim i madh që njësimi i doktrinës liberale, ka përcaktuar, ka 100 vjet…zhvillimin në botë. Në Shqipëri, çështja e Sorosit ka marrë një peshë sepse ai ka prodhuar Edi Ramën.
-A ka një paragjykim për administratën shqiptare në Amerikë, prej Sorosit?
Preç Zogaj: Nuk mund ta them këtë sot, do shohim sepse administrate e parë e Trumpit nuk e reflektoi, megjithëse Rama u investua si asnjë lider europian kundër fushatës së Trumpit, madje edhe me ofendime. Herën e dytë do presim ta shohim sepse Rama ka marrëdhënie kontraverse, ka edhe me njerëz që janë trampistë, ky është paradoks. Me Melonin apo me Orbanin. Nuk është aq e thjeshtë sa ç’duket. Pesha e Sorosit është zvogëluar, do vijë duke u zvogëluar.