Varësia dhe kontrolli i Byrosë Kombëtare të Hetimit është shkaku kryesor përse kjo strukturë nuk po ngrihet, ndonëse palët kanë arritur një marrëveshje që prej muajit tetor.
Kryeministri Rama duket se po përpiqet që ta heqë atë nga duart e Prokurorit të Përgjithshëm dhe për këtë ka shfrytëzuar Reformën në Drejtësi.
U deshën disa muaj bisedime në tryeza të veçanta dhe ekspertët amerikanë të misionit OPDAT arritën të gjejnë një formulë mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, që të kënaqte si mazhorancën ashtu edhe opozitën.
Drafti mbi të cilin është arritur konsensusi që në tetor, parashikon që Byroja të jetë një strukturë e veçantë e krijuar me ligj, e cila përbëhet nga oficerë hetimi të propozuar nga ministri i Brendshëm, por që miratohen nga Prokurori i Përgjithshëm. Ky i fundit do të ketë një rol shumë të rëndësishëm pasi hetimet do të drejtohen nga prokurorë të cilët do të jenë propozime dhe në varësi të Kryeprokurorit.
Byroja Kombëtare e Hetimit ngrihet me synimin për të hetuar rastet e korrupsionit, ato të Krimeve të Rënda dhe veprave penale të zyrtarëve të lartë të shtetit. Por pavarësisht konsensusit të arritur në tetor, Qeveria nuk i ka dërguar asnjë draft Parlamentit.
Përkundrazi, duket se ka ndryshuar qëndrim duke u larguar nga marrëveshja.
Ekzekutivi i drejtuar prej Ramës preferon që Byroja të mos jetë në varësi të Prokurorit të Përgjithshëm. Pasi dështoi ta mbante nën kontrollin e ministrit të Brendshëm, version ky që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, PS e Ramës po përpiqet që ta bëjë Byronë pjesë të një strukture të posaçme antikorrupsion, të pavarur nga Kryeprokurori, që parashikohet në draftin e Reformës në Drejtësi, të hartuar nga ekipi i ekspertëve të Fatmir Xhafës.
Kundër kësaj strukture paralele hetimi, që do të kishte në varësi edhe Byronë, është shprehur LSI e Ilir Metës, me arsyetimin se hetimi dhe akuza në Republikën e Shqipërisë është e drejtë kushtetuese vetëm e Prokurorisë.
Përballë kërkesave publike të opozitës për të miratuar ligjin e dakortësuar mes palëve për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Kryeministri Rama u detyrua të luajë me letra te hapura, duke pranuar se ia ka dërguar atë Venecias, si pjesë të Reformës në Drejtësi.
Loja e Ramës për të shkëputur Byronë nga kontrolli i Prokurorit të Përgjithshëm, është kuptuar edhe nga LSI. Ilir Meta nuk ka ndërmend të bëjë spektaktorin dhe, duke evidentuar edhe njëherë qëndrimet e afërta me Partinë Demokratike, i sugjeroi kësaj lëvizjen e rradhës, duke i premtuar indirekt mbështetje. /abcnews/