Sot u zhvillua konferenca “për sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme”, ku pjesë e panelit të të ftuarve ishin kryeprokurori i përgjithshëm Olsian Çela, kreu i SPAK, Arben Kraja, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, ministrja e Drejtësisë Etlida Gjonaj dhe ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE në Tiranë.
Por praninë e ministres Gjonaj ka në tryezë ka sjellë dhe reagimin e Presidencës e cila e ka kallëzuar atë penalisht në SPAK.
Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi e ka cilësuar si “maskaradë” konferencën e sotme pasi sic shkruan ai kur pritej “që Prokuroria të vepronte ndaj saj (Gjonajt), sot e shohin si pjesë të frontit të Ramaformës”.
Ndër të tjera ai shkruan se “herën tjetër do të mblidhen shumë herë më shumë shqiptarë” duke paralajmëruar kështu një manifestim tjetër të Presidentit.
“Tallja me Reformën në Drejtësi dhe bërja e ligjeve puçiste anti-kushtetuese pati meritë të madhe për të mbledhur kaq shumë shqiptarë kundër grushtit të shtetit, ku Ministrja e Drejtësisë, siç është provuar nga shkresat zyrtare, akuzohet për 4 vepra penale. Ndërsa të gjithë prisnin që Prokuroria të vepronte ndaj saj, sot e shohin si pjesë të frontit të Ramaformës në konferencën e Prokurorisë duke qenë edhe krenare! Pandëshkueshmëria, Padrejtësia dhe Pafytyrësia kanë arritur majat! Herën tjetër do mblidhen shumë herë më shumë se dje, shqiptarë të ndershëm dhe me dinjitet, që s’mund të pranojnë këtë Kryemaskaradë! TURP! SHAME ON YOU!”, shkruan zëdhënësi i Presidencës. /Opinion.al