Policia e Kosovës njofton se ka shpallur në kërkim, një shtetas turk, i dyshuar për vrasjen e e ndodhur ditën e sotme në Prishtinë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë, Prishtinë, pas identifikimit të personit të dyshuar me autorizim të Prokurorisë së shtetit, shpall në kërkim personin e dyshuar; Altin Yaldimir (1967), shtetas i Turqisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për ta gjetur personin e dyshuar dhe ka publikuar fotografinë e tij.
Rreth orës 12:00 të dielën në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, një person u vra me armë zjarri.
Policia tha se dyshon se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda së njëjtës makinë “dhe i dyshuari e ka qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në viktimën, i cili për pasojë ka humbur jetën”.
Arma, me të cilën dyshohet është kryer krimi është gjetur 100 deri 150 metra nga vendi i ngjarjes, në një kosh plehrash.
Policia gjatë ditës po ashtu njoftoi se ka identifikuar të dyshuarin dhe ka bastisur shtëpinë e tij. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për arrestimin e shtetasit turk.