Pas kallëzimeve të pushuesve, për muzikë tejet të lartë pas orarit të përcaktuar, Policia e Himarë ka goditur një tjetër rast të kësaj paligjshmërie.
Pas aksionit të policisë, materialet u referuan në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për shtetasin E. A., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në mesnatë, në lokalin në pronësi të 33-vjeçarit, në lagjen “Spile”, shërbimet e Policisë konstatuan se ishte vënë muzikë e lartë që shqetësonte banorët/pushuesit përreth.
Gjithashtu, për këtë rast u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.