Policia gjermane është duke e mbajtur një konferencë për media në këto momente dhe po jep detaje rreth sulmit të mbrëmshëm.
Shefi i policisë gjermane Andrae ka thënë se 10 janë vrarë, 27 janë lënduar, përfshirë 10 në gjendje të rëndë.
Një shqiptare e Kosovës e quajtur Loreta i ka thënë CNN se atentatori që kreu masakrën në Mynyh thërriste “Allahu Ekber”. Ajo ishte e pranishme në vendin e ngjarjes bashkë me djalin e saj 8-vjeçar.
“Duke dalë nga tualeti, kam dëgjuar një alarm e më pastaj edhe krismat. Ai ka filluar të vrasë fëmijë. Fëmijët ishin ulur duke ngrënë. Ata nuk kishin mundësi të iknin”, ka treguar Loreta.
Nga të dhënat e deritanishme raportohet që në mesin e viktimave janë edhe 3 shqiptarë nga Kosova. Autori i sulmit është një 18-vjeçar, i cili vrau veten pak pas ngjarjes. Mediat e huaja raportojnë se ai i ka joshur viktimat përmes një faqe në Facebook, duke i thënë se do të ketë ushqim falas në një dyqan McDonald.