Një 21-vjeçar është ndaluar nga policia e Tiranës ndërsa tre të tjerë, mes tyre dy policë, po ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Gjatë orëve të para të ditës së sotme, dy efektivët e policisë së burgut 313, Adrian Gjonaj 42 vjeç dhe Hamza Agaci, 43 vjeç kanë qenë duke pirë në një lokal në Priskë.
Pasi i ka zënë pija, ata kanë qëlluar në ajër. Policia ka marrë njoftimin rreth orës 01:20 dhe ka shkuar në vendngjarje. Aty ka gjetur 3 gëzhoja të kalibrit 9 mm, me mbishkrimin “Luger”.
Po pronari i lokalit, 21-vjeçari Ardi Ajdini, fillimisht iu ka thënë policëve se zhurmat e dëgjuara kanë qenë fishekzjarre. Për mos kallëzimin e krimit ai është ndaluar nga policia.
Dy policët e burgut 313 në momentin e shoqërimit kanë patur edhe armët e shërbimit me vete, pistoleta të tipit “TT”, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekzaminim në laborator.
Nga këqyrja paraprake gëzhojat që u gjetën dhe u sekuestruan nuk përputhen vizulalisht me fishekët që qiten nga pistoleta e tipit “TT”.
Për mos kallëzim krimi po ndiqet penalisht edhe kamerieri i lokalit, 18-vjeçari Xhesajn Picalli.